Disa vjersha dhe tregime për fëmijë!
Harabeli
Dhe shpezët udhëtarë fluturuan
me shtërg e dallandyshe - gjithë ç'qenë,
veç harabeli vendit nuk po luan,
ai nuk ia beson kurrkujt folenë.
Livadheve të korrur fluturon,
me sqep në bar çepkat e vërshëllen
dhe duket se me shokët kuvendon,
dhe duket se diçka përreth s'e gjen.
Dhe sytë e vegjël hedh përmbi zabel,
vështron se si mërgohet shpezëria,
por s'di të thotë zogu harabel:
"Të çmendur ju pse ikni nga shtëpia?"
Dritëro Agolli
Lepuroshi
Deshi lepuroshi
t'bënte një mrekulli:
të vishej me tesha
po sikur njeri.
Veshi pantallona,
këpucë e jelek,
n'Zvizër porositi
sahat me qostek.
Mirëpo të ngratit
i shkoi puna huq,
sepse veshët e gjatë
s'i ndenjën n'kapuç.
Rexhep Hoxha
Kam një qengj, që ha bar!
Kam një qengj që ha bar,
me një zile në qafë varë,
kam një qengj, si një larosh,
që ma quajnë bukurosh.
Giçi - giçi plot me gaz
unë e ndjell, ai vjen pas,
be-be-be blegërin,
vjen nga prapa e m'arrin.
E me brirë, dap e dap,
do të më hedhë mu në trap,
po s'më hedh se më ka shok,
prandaj lozim të dy tok.
Këngë për shiun
Shi, shi, o baba-shi,
bjer, o bjer-o me furi,
shi, shi, o baba-shi,
jepi tokës pak freski!
Shi, shi, o baba-shi,
ku ke qenë gjer tani?
Presin arat plot me grurë
presin pyjet plot me drurë,
presin lulet, trëndafilat,
jaseminët, karafilat,
presin rosat edhe patat
sqepkuqet, qafëgjatat.
...