Onufri
Onufri është piktor i shquar i shek. XVI. Ai krijoi në fushën e pikturës murore dhe të ikonës. Në vijim të traditës pikturore të shek. XIII-XV Onufri shtoi elementin realist dhe etnografik të mjedisit shqiptar. Ai e zbuti mjaft kanonin bizantin, duke bërë përqasjen e pikturës kishtare me jetën e gjallë dhe mjedisin real. Onufri ka zbukuruar me pikturat e tij një varg kishash në Berat, në Shpat të Elbasanit, si dhe në Maqedoni e në Greqi. Veprat e Onufrit kanë karakter të kushtëzuar mesjetar nga tema dhe trajtimi. Mbi subjektin fetar Onufri ndërton skena me karakter dhe bën gërshetim kompozicional të figurave me sfondet e arkitekturës, me peisazhin e fushave, të pllajave të gjelbëruara e të maleve të larta shkëmbore, që ngrihen me shkallëzime të stilizuara. Afresket dhe ikonat e përmasave të mëdha dallohen nga depërtimi në botën e brendshme të figurave. Figurat e pikturuara nga Onufri janë të pajisura kurdoherë me bukurinë e lartë fisnike të idealizuar, por edhe me tipare individuale të vjela nga jeta. Onufri krijoi një ansambël me tipare të veçanta individuale, me skena e figura të ndërlikuara në një kompozim. Ai ishte mjeshtër i ngjyrave dhe penelit. Parapëlqente kontrastin e fortë të ngjyrave dhe shkallëzimin e butë të toneve, të kuqen e flakëruar, "të veçantë e të paimitueshme", vjollcën, të gjelbrën, të artën e shndritshme vezulluese. Te Onufri gjejmë shpesh ornamentin bimor, por ai fut aty-këtu edhe atë gjeometrik të lashtë. Onufri zë një vend të shquar në kulturën shqiptare dhe në atë ballkanike.
(Fjalori enciklopedik shqiptar)