Di, 18. Mär 2008, 11:03
Gjergj Elez Alia
Trim mbi trima kishte qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia. Vjet e vjet ai kishte dalë zot truallit të të parëve, ia kish mbrojtur nderin. Kish luftuar me topuz e shpatë kundër armiqve të derdhur këtej nga deti e nga toka për të shkelur vendin, për t'a dhunuar e zhveshur. Dhe të gjithë këta armiq Gjergj Elez Alia i kishte shtrirë përtokë pa frymë. Por në luftrat e shumta me dhunonjës të shumtë, trimi ynë kishte marrë nëntë plagë në shtat dhe tani kishte nëntë vjet që dergjej në kullë. Atë e kishin harruar të gjithë dhe e kishin lënë në dorë të fatit. Nuk e kishte harruar vetëm e motra, që i rrinte natë e ditë mbi krye. I lante plagët me ujët e gurrës nëntë vjeçe, ia shpëlante me lotët e syve të saj, i terte gjakun me flokët e ballit, shtatin ia lidhte me shamitë e nënës, ia hijeshonte me petkat e moçme të tatës, armët e brezit ia vinte mbi krye, sepse kur i shihte armët pranë, bacë Gjergji e ndjente zemrën ende të ngrohtë, i ngjallej një fije shprese. Ai i duronte si burrë dhembjet e plagëve kur i ndërronte e motra shtatin. Vetëm një dhembje nuk e duronte dot Gjergji. Dhembjen për motrën e dashur të varrosur së gjalli pranë tij, në kullën e lartë, që t'i mjekonte plagët, të përkujdeseshe për të. Kjo dhembje e shtrinte Gjergjin si të vdekur, pa frymë. E motra e Gjergjit s'kish patur kurrë çaste gëzimi. Ndërsa shoqet e saj gëzonin të ritë e tyre, kishin dashuruar, ishin martuar, kishin lindur fëmijë, ajo rrinte gjithnjë mbyllur në kullë pranë Gjergjit të sëmurë.
Kështu kaluan nëntë vjet. Vitin e nëntë u hap e mori dhenë fjala gjëmëmadhe se kish dalë një bajloz nga deti, një bajloz i zi, trim i fortë e i prapë, më i lig nga bajlozët e tjerë, që kishin shkelur gjer atëherë truallin tonë. Ky bajloz i prapë i kishte hedhur vendit një rreng të rënde; çdo derë t'i jepte një dash të pjekur, çdo vatër t'i jepte një vashë të re. Bajlozi vriste ditë për ditë, digjte javë për javë një krahinë. Kishte vrarë aq kreshnikë, sa tani askush s'i dilte përpara e t'i priste hovin, sepse topuzi i tij ishte shumë i rëndë, shpata e tij ishte shumë e mprehtë dhe shigjeta e tij përshkonte tej e tej trupin e kreshnikut. Kështu tërë vendi lëndonte nën thundrën e tij. Gjergj Elez Alia s'dinte gjë, ai dergjej në shtrat si i vdekur e i pakallur në varr. Askush nuk vinte t'i qante brengën e t'i kërkonte ndihmë, sepse e dini që ai s'kishte forcë as të dilte tek pragu i derës. Kur i erdhi rradha shtëpisë së Gjergjit që t'i jepte Bajlozit haraçin, dashin e pjekur dhe motrën, kjo, motra, qau me lot dhe u ankua dhe nëmi:
- O vëlla, po qysh na harroi neve vdekja e s'na mori.
- Nëna e tata kalben të vdekur nën blir.
- Shtati i vëllait kalbet së gjalli brenda në shtëpi.
- Shtati i motrës do të bjerë në duart e bajlozit të zi...
- Pse vallë nuk shembet kjo kullë të na zërë brenda të vdekur?
- Pse s'bëhet gërmadhë kjo shtëpia jonë?
- Vdekja është më e ëmbël moj e zeza nënë se sa jeta pa nder.
Atëherë Gjergji u zgjua, shikoi përreth e s'dinte ç'kishte ndodhur. Kish ndjerë që i ishte lagur fytyra dhe kish pandehur se kulla i ishte rrënuar aq shumë, sa i'a shtinte shiun brenda. Zemra i'u bë copë, shikoi të motrën; dy vija lotësh i'a përshkuan faqet e tretura. Nga pikëllimi e mallkoi kullën;
- Hej, u nxifsh moj kulla ime!
- Të mbuloftë fund e krye lemashku. Paç banorë brevën e gjarprit!
- Si më lëshove ti kaq shpejt pikat e shiut brenda në shtrat?
Motra i'a fshiu me dorë lotët e i tha:
- Jo more vëlla, nuk bie shi përjashta e nuk pikon çatia e kullës.Ty të kanë lodhur fort plagët e shtatit dhe shkretia, prandaj s'di se çflet; sytë e mi pikojnë lot vëlla!
Atëherë Gjergji i shtrëngoi dorën me atë pëllëmbën e thatë, i lëmoi ëmbël fytyrën, e shikoi me ata sytë e mallit dhe i foli me zjarr, si nuk kish folur kurrë:
- Pse qan moj motër? Pse ma thyen kaq shumë zemrën?
- Shtati im ka nëntë vjet që po kalbet së gjalli.
- Në këta nëntë vjet Gjergji yt s'ka pasur kurrë pushim e ka fërfëlluar gjithnjë si ai gjethi i ahut në faqe të shullërit.
- Vallë a s'ke pasur të hash e të pish në këta nëntë vjet?
- A s'të ka mbajtur ty vëllai me të veshur dhe të mbathur?
- A të ka rënduar ndonjëherë me fjalë?
- Apo t'u mërzit vëllai dhe të ka ardhur dëshira të martohesh e ta braktisësh?
Atëherë motra, i'a mori dorën, i'a vuri mbi ballin e saj dhe i'u përgjigj bukur:
- Oh vëlla! Kaq shumë të paska mërzitur vuajtja që më flet kështu?
- Hyfsha gjallë nën dhe në më shkon mendja për t'u martuar.
- Të ngrënë e të pirë kam pasur mjaft.
- Kurrë s'më ke rënduar me fjalë si sot.
- Unë ty të kam tatë, ty të kam vëlla.
- Po sot bacë Gjergji dua të qaj një brengë të madhe.
- Si nuk t'u përkemb shtati vallë në këta nëntë vjet që të dalësh gjer tek pragu i derës?
- Si nuk u tha motra jote - e thaftë vera!
- Po qysh të duroj unë e zeza turpin e ti shkoj bajlozit në derë?
Kur dëgjoi këto fjalë, bacë Gjergji i harroi të nëntë plagët e shtatit, i harroi dhimbjet dhe brofi drejt e në këmbë, sikur të mos paskësh lënguar kurrë në shtrat: i hollë, i gjatë, ashtu siç kishte qenë dikur trim mbi trima. I tha së motrës:
- O motër, merr gjogun e luftës e zbrit shpejt deri tek nallban vëllami. I thuaj: "Të dërgon falmeshëndet Gjergji, t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj hekuri të farkuar e thumba trunxhi, se do t'i dalë bajlozit në shesh të burrave". Po s'desh të ma mbathë gjogun nallban vëllami, hipi sërish e shko në derë të nallban dashamirit!
Vasha i hipi gjogut, e ngau shpejt, zbriti në qytet e shkoi drejt tek nallban vëllami.
- Puna e mbarë o nallban vëllami!
- Mbarë paç, moj vashë e largët!
- O vëllam, të dërgon falëmeshëndet bacë Gjergji t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj hekuri të farkuar e thumba trunxhi, se do t'i dalë bajlozit në shesh të burrave!
Mirëpo në këta nëntë vjetët, që Gjergji ish varrosur së gjalli brenda në kullë, nallban vëllami e kish harruar fare vëllazërinë e vjetër. Ai nisi t'i flasë së prapthi motrës së Gjergjit.
- Po të m'i falësh - tha - moj vashë, ata sytë e ballit,
unë do t'ia mbath mirë gjogun e do t'ia bëj të fluturojë si era.
Motra e Gjergjit ia ktheu me zemërim:
- Ç'po thua ashtu, o nallban, t'u thaftë goja?
Unë pandeva se pata ardhur në derë të vëllamit,
po e shoh se paskam rënë në derë të hasmit.
Këta dy sytë unë ia kam falur njëherë e përgjithmonë
nënës dhe tatës që kalben nën dhe,
ia kam falur Gjergjit tim, që kalbet me nëntë plagë mbi dhe!
Kaq i tha motra e Gjergjit nallban vëllamit,
që e kish harruar vëllazërinë dhe i ra kalit e shkoi te nallban dashamiri.
- O nallban dashamiri - i tha - të dëergon falëmeshëndet bacë Gjergji,
t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj të farkuar dhe me thumba trunxhi,
se do të dalë të luftojë me bajlozin e detit.
Nallban dashamiri s'ia bëri fjalën dy, po ia mbathi mirë e bukur kalin si për vete.
- I thuaj - tha- falëmeshëndet bacë Gjergjit e daltë faqebardhë në luftë.
- Rrofsh e qofsh o nallban dashamiri!... - ia ktheu vasha.
...
Koha s'vjen pas teje, ti hiq pas kohese!
Naim Frasheri