Të lëkundur, të padisiplinuar, lakmitarë të parasë, të ndjeshëm, krenarë, inatçorë, por edhe trima, të vetëdijshëm, besnikë, mikpritës dhe me një zgjuarsi të jashtëzakonshme... Këto janë disa cilësi të karakteri të shqiptarit. Baron Franc Nopça ka mbledhur përcaktimet dhe vlerësimet e 45 autorëve të huaj, të cilët kanë shkruar për shqiptarët, duke krijuar kështu një portret të pazakontë të shqiptarit të fillimviteve ‘900.
Ky shkrim i veçantë i albanologut të njohur është shkëputur nga vepra e tij "Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe E Drejta Zakonore e tyre", një libër i përkthyer nga Dr. Jur. Mihallaq Zallari dhe përgatitur për botim në gjuhën shqipe dhe redaktuar nga Akad. Assoc. Marenglen Verli dhe Dr. Edmond Malaj. Vepra prej më shumë se 500 faqesh e ndarë në pesë kapituj del së shpejti në qarkullim si një botim i Institutit të Historisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Siç e shpjegon vetë autori Franc Nopça në hyrje të librit, qëllimi i kësaj vepre është të hetojë, sesi zhvillohet një popull me karakter specifik dhe i veçuar nga bota përreth nën ndikime kryekëput të caktuara. “Ky popull është populli malësor i Shqipërisë së Veriut gjer në vitin 1912, të cilit i mungonte ndikimi i huaj qysh shekuj më parë”, shënon Nopça.
http://botasot.info/speciale/312694/kar ... anologeve/
Pjesa e parë e veprës merret me karakterin e malësorëve të lirë, por të egër të Shqipërisë së Veriut, gjatë rrjedhës së viteve 1905-1907, dhe, njëkohësisht, me farefisninë e tyre më të “qytetëruar”, të shpërngulur në një trevë tjetër. - Rrethanat historike të vendit, si edhe lufta e vazhdueshme e malësorëve kundër administratës turke, përshkruhen në pjesën e dytë të veprës, e cila merret me historinë lokale, nga shkaku i orientimit të përgjithshëm, nga viti 1853 gjer në vitin 1894.
Në pjesën e tretë të veprës përshkruhet historia e fiseve të Shqipërisë së Veriut dhe njëkohësisht bëhet tentativa të lidhet ajo me gjendjen e egër, e cila fillon relativisht vonë, siç provohet në pjesën e dytë. Në pjesën e katërt të librit përshkruhet kanuni i Malësisë, siç është zbatuar afërsisht 20 vjet më parë dhe në pjesën e pestë, të fundit, provohet shpjegimi i zhvillimit të kanunit nga karakteri i banorëve, tradita dhe e kaluara.
Asgjë nuk është më e zorshme, sesa një i huaj të njohë thelbin e karakterit të një populli dhe asgjë nuk kërkon më tepër qetësi dhe sundim të vetvetes sesa ta përshkruajë pastaj atë në mënyrë objektive dhe siç ndodh në realitet. Për ta njohur karakterin e një populli në natyrën e tij të vërtetë, duhet të njohë fare mirë gjuhën e tij, doket dhe zakonet e tij, se vetëm atëherë mund t’i shfaqet vëzhguesit një popull i natyrshëm, i thjeshtë dhe i papenguar; pastaj duhet aftësia të futet vëzhguesi në ambientin që kërkon të përshkruajë, ta asimilojë atë, se vetëm kështu mund të paralizohen paragjykimet, që sjell ai me vete.
Kush do të përshkruajë karakterin e një shqiptari, ai nuk duhet p.sh. të “xhindoset” aty për aty, që shqiptari e vret tjetrin prapa krahëve me gjakftohtësi, përkundër duhet të mundohet ta vështrojë vrasjen e rastit të lirë nga çdo tronditje pikërisht siç bën vrasësi ose, së paku, rrethi në të cilin është rritur vrasësi. Zemërimi i madh nuk e bën të mundshëm këtë përshkrim, përkundër shpie pa dashur te një dënim të njeriut, që duam të përshkruajmë. Teknikisht përshkrimi i karakterit të një populli bëhet më i lehtë, sa më shumë largohet nga ai i popujve të Evropës Qendrore, se tiparet e tij janë aq më të shprehshëm.
Jeta për shumë vite, që kam kaluar së bashku me shtresat e ndryshme të popullit të Shqipërisë së Veriut dhe fakti që malësorët e këtij vendi më shikonin më në fund si njeriun e tyre, kështu që më pranonin të merrja pjesë në lodrat e tyre dhe më jepnin lirisht të drejtën të them mendimin tim në çështje dhe grindje private, së fundit fakti, që unë besoj, se kisha hyrë t’i kuptoj thellë motivet e shumicës së veprimeve të tyre, dhe prandaj filluan të harmonizonin në sytë e mi tiparet heterogjenë të karakterit shqiptar; të gjitha këto, me gjithë vështirësitë e përmendura, më japin guximin të tentoj një përshkrim të karakterit popullor shqiptar dhe t’i zgjidh kontradiktat e shumta të tij, duke u nisur nga e njëjta pikëpamje.
Ndryshimet e karakterit të malësorit shqiptar mund t’i pozicionoj, duke vërtetuar se karakteri i malësorëve sot i afrohet pak e nga pak atij të shqiptarëve të shkolluar.
Gjykimi i përgjithshëm përmbi karakterin e shqiptarëve ndryshon shumë. Herë i gjykojnë si njerëz jo fort me besë, herë si përtacë, në anë tjetër mburrin besën e tyre dhe zellin në punë; një autor, Murray, arrin të thotë në “Handbook for Travellers in Greece” (Londër 1884): “The very failings of the national Character are generaly for a kind more congenial to Englishmen thon the timid negative virtues of the Greeks or Armenians” .
Nga shkaku i këtyre ndryshimeve mendoj se do të jetë mirë të përsërit shkurt disa nga përshkrimet më të rëndësishme të karakterit shqiptar.
