Seite 1 von 1

“Vëllai im ishte shtylla jonë”

Verfasst: Mo, 02. Dez 2013, 10:12
von Strellci i Vertet

Jetmira, motra e babait të tre fëmijëve që humbi jetën në një aksident në Gjenevë më 13 nëntor, na i hapi dyert e shtëpisë së saj në Olten (SO).


http://www.albinfo.ch/sq/integrimi/v-ll ... htylla-jon

Më të mbërritur para shtëpisë, Jetmira më rrethoi me duart e saj të brishta, ndërsa nën zbehjen e ftohtë të fytyrës ajo mbante strukur dhimbjen e zjarrtë. Heshtja e rëndë përzihej me ngjyrën e përhitur të mureve të shtëpisë, ku bashkë me burrin e saj, Blerimin, ajo na mirëpriti. Qetësia e saj ngjante me atë që njeriu ndjen pas një stuhie të tmerrshme: sikurse nuk kishte më lot, sikurse zëri i ishte shterur, sikurse plaga kishte përthithur thelbin e shprehjes së vuajtjes. Edhe pse nuk qante më, sytë e Jetmirës vezullonin sikur yjet në terr të thellë.

Edhe pse dhimbja e mjegullt dëgjohej në frymëmarrjen e saj të shtrënguar, Jetmira nuk kishte rënë pre e frikës dhe e lëngimit të njëanshëm, nuk kishte rënë në kurthin e urrejtjes shkatërruese. Gazetarët e të përditshmes frankofone «Le Matin», me të cilët albinfo.ch bashkëpunoi për shkrimin e mëposhtëm, u befasuan me qëndrimin stoik të Blerimit dhe Jetmirës, ndërsa soditnin me plot respekt paraqitjen e denjë të këtij çifti, i cili edhe pse ishte tmerrësisht i shtangur, nuk kishte lënë veten të zaptohej nga mëria kundër dy shoferëve të rinj që kishin shkelur dhe kishin vrarë me makinë Samirin, vëllain e Jetmirës. Ndërsa Blerimi, burri i saj, mundohej të zbuste goditjet dhe përplasjet me të cilat po ballafaqohej gruaja, ai nuk mungoi të na shprehë dhimbjen për tre fëmijët jetimë në Kosovë, të cilëve u shfaqej një ardhmëri e tkurrur. Në vijim, ca fragmente të takimit tonë me familjen Morina në periferi të Oltenit. V.G.

"Asgjë, as tmerret e luftës nuk e kishin përgatitur për një dhimbje të tillë”, shprehet Jetmira. Dje, 31-vjeçarja kosovare na ftoi në shtëpinë e saj modeste në Olten për të folur për Samir Dulakun, vëllain e saj të madh. Ky baba i tre fëmijëve (34-vjeçar) humbi jetën më 13 nëntor në rrugën e Lyon-it në Gjenevë.

Babë dhe ish-ushtar i UÇK-së

Atë mbrëmje "shtylla e familjes u shpërbë" me të shkelurit nga një shofer 23-vjeçar, i cli po bënte gara me BMW-në e tij me një shok tjetër. Jetmira mori lajmin për vdekjen e vëllait të nesërmen në makinë, ndërsa po shkonte në spitalin universitar të Gjenevës. "Është vëllai im, i cili i dha lajmin”, tregon Blerimi duke pirë cigaren, unë nuk arrita t’i tregoj. Kur mbërrin në spital, çifti sillet kot dy orë në korridoret e spitalit pa marrë asnjë informacion. Më në fund, një mjek gjermanofolës na shpjegoi se çfarë kishte ndodhur, tregon Jetmira, por ai insistoi që të mos e shoh trupin e vëllait. Jemirën, thellësisht të tronditur, Blerimi është detyruar ta çonte tri herë në emergjencë. Ajo dhe vëllai i saj ishin të afërt. Pavarësisht mungesës së parave, Samiri kishte ardhur prapëseprapë ta vizitonte për pushimet shkollore të tetorit. "Ne flisnim shpesh në telefon. Kur vinte në shtëpi, ai merrej shumë me nipërit e tij. Ishte shumë i butë dhe i qetë”, thotë Jetmira, duke ngjallur një buzëqeshje të trishtuar.

Samir Dulaku nuk ka pasur një jetë të lehtë. Ai ishte djali i madh i një familje të varfër të pesë fëmijëve. Sikur shumë të rinj të gjeneratës së tij të fshatit në Rahovec, edhe ai kishte luftuar për pavarësi në çetat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më pas, ai ishte martuar dhe ishte baba i tre djelmoshave, Altinit, Armendit e Arditit, përkatësisht me moshë 11, 7 dhe 5 vjet. Gjithë familja jetonin në shtëpinë e prindërve të tyre.

"Para dy vjetësh, për të ndërtuar një shtëpi për gruan dhe tre fëmijët, Samiri kishte ardhur në Gjenevë me shpresë se do t`i buzëqeshte fati. Ai nuk e fliste frëngjishten dhe për të ardhur në Zvicër kishte marrë një kredi në Kosovë", përkujton Jetmira. Para se të paraqiste një kërkesë për azil, ai ishte munduar të gjejë një punë, por nuk pati arritur përveç disa mandateve tejet të shkurtra dhe shumë keq të paguara në të zezë, në sektorin e ndërtimtarisë në Gjenevë. Prapëseprapë, fitimet modeste i lehtësonin sadopak jetën familjarëve të tij në Kosovë, por jo në mënyrë të mjaftueshme. Duke mos arritur të gjejë zgjidhje tjetër, ai vendos të paraqesë një kërkesë për azil, i cili nuk i pranohet. "Kjo është arsyeja pse ai vendosi të kthehet”, thotë motra e tij. Samiri ishte shumë entuziast, mezi priste t’i shohë fëmijët e tij pas dy vjetësh të tëra pa i parë. Shteti zviceran kishte vendosur t’ia dhurojë 4.000 Ch për ta ndihmuar kthimin e tij. Samiri dëshironte të blejë një traktor dhe të punojë tokën e tij".

Fluturimin e kishte rezervuar, por u kthye në arkivol

Samiri kishte rezervuar vetë biletën e aeroplanit. Dhe të martën e javës së kaluar ai u nis nga Gjeneva drejt Prishtinës, por fatkeqësisht në një arkivol. Jetmira, gjithnjë me sy të përhitur, kujton dy valixhet e përgatitura nga vëllai i tij për tre djemtë e tij, të cilat kanë mbetur në studion e shokut të tij të plagosur rëndë po ashtu nga kjo ndeshje. "Pse babi nuk është kthyer i gjallë, po i vdekur nga Zvicra", rikujton Blerimi fjalët e fëmijëve të Samirit. Ata janë në një gjendje të mjerueshme dhe përballen me një trishtim të papërshkrueshëm. Kjo pyetje do t’i ndjekë edhe shume kohë.

Por, as Jetmira, as burri i saj nuk mbajnë mëri kundër shoferëve që provokuan vdekjen e Samirit. Çifti u tregua shumë dinjitoz dhe stoik. "Ne duhet të pranojmë fatin tonë. Këta të rinj nuk kanë parashikuar vrasjen e vëllait tim, por ata prapëseprapë kanë shkatërruar familjen tonë. Veprimet e tyre më revoltojnë, por nuk ka vend për urrejtje, sepse më ka kapluar dhimbja", vështron Jetmira. Ndërsa burri i saj shton këto fjalë: "Drejtësia duhet t’i dënojë këta djem, por jo shumë rëndë. Veprimet e tyre shuan një jetë. Shkatërrimi i jetës së tyre nuk na shërben për asgjë”.

Vjosa Gërvalla (albinfo.ch) dhe Laurent Grabet (Le Matin)

----------------------
..

R.I.P

te qoft i leht dheu i kosoves.

Families e tij: ju lasht zoti shnosh. I ndajm dhimbjen tuaj. Dhe qofshi faqe bardh per mos urrejtjen e shkatktarve te vdekjes e vllau tuaj, mikit, dajes, tezakut....