-Matanë arsyetimit tuaj zoti Gjika, ka një reagim “shqiptar” të munguar, infatil dhe të kompleksuar. Një ndjeshmëri e ulët reaguese nga qytetarët dhe në mënyrë të veçantë nga institucionet zyrtare të shtetit. Ka arsyetime që e çmojnë këtë si maturitet, ndërsa ka të tjerë që e konsiderojnë sjelljen dhe nënshtrimin e kronikshëm të institucionalizmit shqiptar. Ju vetë nga pozita e një ish-ligjbërësi si e vlerësoni këtë sjellje dhe reagim shqiptar?
Gjika: Nuk është kështu përkundrazi, ka pasur reagim qytetar. Ajo që ka munguar ka qenë korrektësia, dinjiteti dhe serioziteti në qëndrimin e institucioneve dhe shtetit shqiptar. Po të shikojmë historinë e këtyre njëzet viteve të fundit të marrëdhënieve dhe politikës së ndërsjellët midis Greqisë dhe Shqipërisë, ato lënë shumë për të dëshiruar për mungesën e standardeve dhe nivelit evropian që i përkatësojmë. Shpesh ngjarjet e rënda në pikat kufitare, keqtrajtimin e qytetarëve shqiptarë nga autoritetet policore greke, virusin “antishqiptar” që prish kompjuterët grekë, reagimet brutale ndaj emigrantëve sa herë “që i mbetet qejfi” Greqisë, hapjen dhe mbylljen e portës kufitare jo si një portë shteti, por si një derë “buzuku” nga polici grek, kontrollet e imta dhe fyese të pasaportës shqiptare dhe kthimet pa asnjë kriter të paralajmëruar të qytetarëve shqiptarë pse janë çamë apo “kanë shkruar e folur keq për Greqinë”, rëndom janë kualifikuar si “veprime sporadike”, të qarqeve ekstremiste, të veçuara etj., etj. Në fakt, është e qartë që këto veprime janë në sistem të një politike zyrtare greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Asnjë gjë nuk është e rastësishme, përkundrazi është e përgatitur dhe e mirëplanifikuar dhe bëhet me përkujdesje. Kush mendoni se urdhëroi të ktheheshin qytetarët shqiptarë në pikën e “Tri urave” apo Kakavijë, polici grek që u mërzit për “kishën e Përmetit”? Jo, ajo është një portë që e mbyll dhe e hap shteti grek. Ky qëndrim i autoriteteve greke nuk përmbush dhe as përmban standardet europiane të marrëveshjes së “Shengenit” ku Greqia dhe Shqipëria bëjnë pjesë. “Shengen”-i grek nuk di në mund të gjendet kund në Afrikë! Do të dëshiroja që eurodeputeti që ngriti dhe i kërkoi hesap qeverisë greke për kishën time të Përmetit, të vinte dhe të hidhte një sy në Kapshticë, Kakavijë etj., për të parë se çfarë Europe i ofron Greqia Shqipërisë dhe s’i trajtohen emigrantët kur kalojnë pikat kufitare ndërshtetërore. Me pak fjalë, po të perifrazonim Konicën e madh do të thoshim se Greqia i sillet Shqipërisë si ai fshati i madh fshatit të vogël. Kur vjen puna për të keqtrajtuar apo “për t’u dhënë mësim allvanosve” shteti grek shkel çdo marrëveshje, dokument, apo konventë ndërkombëtare që ka firmosur. Për fat të keq, edhe shteti shqiptar i sillet Greqisë si ai fshati i vogël fshatit të madh. Nuk është krenari të themi se Shqipëria nuk është nëpërkëmbur dhe keqtrajtuar kësisoj nga Greqia as në kohën e Zogut, se në kohën e diktaturës s’ka pasur shanse. Dhe e gjitha kjo, sepse shtetarët tanë të sotëm, si nga “fshati i vogël” e kanë zgjedhur vetë të përunjen. Kapërdijnë çdo megalomani greke “për atë të shkretë Europë” dhe frikën e vetos greke. Mirëpo nga fshati i madh e kanë zakon që sa më shumë të tulatemi ne, aq më shumë e ngrenë zullumin. Kështu, deputetët tanë s’kanë kurajë të lidhin dy fjalë “për Çamërinë” (brenda kartave dhe të drejtës ndërkombëtare), në një kohë që në Parlamentin grek deputetët flasin hapur për pretendime territoriale dhe “tokë greke” brenda Shqipërisë! Ishte për të qeshur dhe për të qarë, kur kryedeputetja jonë zbuloi se “e paskemi votuar rezolutën, por s’i paskemi numëruar mirë votat”, duke e kaluar pa zë dhe pa e lexuar dhe një herë në atë sallë të Kuvendit. Nuk ka asnjë reagim zyrtar për shenjat dhe nishanet e Shqipërisë që shteti grek i përdhos aq lehtësisht dhe madje duke na kërcënuar “shkruajini gërqisht këto toponimet greke paçka se dhiavatirio është tuaja!” Nuk ka asnjë reagim nga institucionet relevante, apo dhe Avokati i Popullit kur djemtë shqiptarë që vuajnë dënimet në burgjet greke lëshohen natën si kavie për t’u gjuajtur dhe vrarë pyjeve dhe gërxheve të Greqisë, duke stërvitur dhe trajnuar trupat speciale greke. Mos harrojmë se atyre u është privuar liria, kurse siguria e burgjeve greke është detyrim i autoriteteve të atij shteti, që jo vetëm s’mbajnë përgjegjësi, por s’marrin asnjë konseguencë nga ligji dhe gjykatat, tek i kthejnë të dënuarit “me burgim” në “me pushkatim”! Si shqiptar do t’i kërkoja shtetit tim dinjitet dhe, të denonconte në mbarë Europën qoftë edhe një fjalë fyese të policit grek dhe jo më akte dhe veprime flagrante antiqytetare dhe antieuropiane si më sipër. Në Europë nuk mund të shkojmë pa dinjitetin, identitetin dhe ADN-në tonë shqiptare.
-Platforma e pretendimeve territoriale, si dhe organizatat e caktuara greke dhe të diasporës së saj, historikisht kanë ekzistuar dhe investohen për këta objektiva të tyre. Por sa mendoni se ka ceduar Shqipëria përballë tyre dhe pse mendoni që kjo nuk i ka shqetësuar shtetarët tanë të këtij tranzicioni?
Gjika: Unë mendoj se një platformë helenizuese e hapësirës periferike të shtetit grek, ka qenë dhe është institucionale në Greqi. Kjo platformë është e vjetër që kurse filloi helenizimi i Epirit (në hapësirën e viteve ‘730) dhe përfundoi me rënien e Perandorisë Osmane. Rolin determinues gjithmonë e ka luajtur kisha, e cila ka pasur devizë të saj “Ortodoksi do të thotë Greqi”, mbi një psikologji të përpunuar të opinionit panhelen si ajo e shekullit të 18 “kur bullgarët qenkan ortodoksë, atëherë ç’u duhet një shtet i tyre!”. Përsëri kisha është flamurtare këtë radhë edhe e kësaj nisme në vendin e shqiponjave, pavarësisht se ortodoksia shqiptare s’është greke, pasi shqiptarët u vunë nën kishën lindore të Kostandinopojës pas shekullit VIII dhe u shpallën “autoqefale” në vitet ’30. Në këtë kuptim “projekti shqiptar” jo vetëm që ka rëndësinë e tij në programin e helenizimit, por ka marrë përparësi këta njëzet vitet e fundit. Nga ana tjetër, lehtësisht vihet re se ka një shkallëzim të këtij programi. Deri dje flitej dhe pretendohej “për minoritetin dhe të drejtat themelore të tij”, tani flitet për “Ortodoksinë dhe të drejtat e kishës në Shqipëri”. Deri dje mitingjet, ceremonitë apo mbledhjet përkujtimore bëheshin në Greqi, tani (prej disa vitesh) ato bëhen në Shqipëri dhe në mes të ditës, madje edhe nga persona të paligjshëm që nuk u rezervohet një liri e tillë as në Greqi! Deri dje “e ngrinin zërin” zyrat konsullore dhe zyrtarët grekë për problemet në hartën e njohur të vendndodhjes së minoritetit, tani flet kisha dhe priftërinjtë për të drejtat në hartën ortodokse! Ahere ç’ka ndodhur, ndërsa politikanët tanë “janë të zënë” me politikat e mëdha të ditës që bëhen këtu, kemi të drejtë të pyesim: ku janë ligji dhe institucionet e shtetit tonë? T’u thuash shqiptarëve se “po shkelin të drejtat e besimit të një komuniteti” kjo do të duhej të shënohej në “Gines” po të ishte e vërtetë, pasi ka mbi dy mijë vjet që s’ka ndodhur! Nga ana tjetër, nën hijen e tolerancës dhe shtetit laik, nuk mund të mbulohet politika e përunjur dhe servile, për më tepër ajo nuk bën efekt. (Përgjigjja ekuivalente e një polici shqiptar kur ktheu mbrapa dhe ai disa qytetarë grekë në frymën e “reciprocitetit”, pati më shumë efekt dhe shteti grek e hapi prapë portën). Nga ana tjetër, gjërat po shkojnë në një drejtim të padëshiruar dhe të rrezikshëm: tek flisja me zyrtarë lokalë në Përmet, me shqetësim dëgjova shpërthimin e tyre “këto i bëjnë disa talebanë”! Përballë produkteve të tilla duhet të shqetësohemi seriozisht, pasi kurrë nuk ka ekzistuar ndarja dhe përçarja mes nesh për motive fetare dhe të besimit.
http://www.koha.net/?page=1,14,159823
----------------------------------------------------------------
q e ka gabim Politika Shqiptare qe i referohet Kishes Ortodoxe Greke ne vend te shef Kischen Orthodxe Shqipare?
I pasun esht ai i cili din se per qka ka jetu. Pytja osht: per qka jeton ti?