Mo, 22. Nov 2010, 13:45
Vazhdim i pjesës Gishto Trimi
Gishtoja në rrugë
Teta Leta po ecte rrugës. Ec e ec e ec... kur dëgjoi se dikush po qante:
-Iiiii! Iiiii!
Teta Leta shikoi anës, por askush nuk ishte. Kur "pët-pët-pët!" pranë iu afrua një njeri i vogël, i vogël sa gishti i Joridës.
- Ja, kaq, babi!
- Aq, xhan i babit, aq! ... Po ky Gishtoja flokët i kishte të kuq.
Jorida lëshon në jastëk kokrrën e lajthisë dhe shpejt përplas duart:
- Gishto Gishtuqi, Gishto Gishtuqi!"
-"Po i kujt je ti?"- e pyeti teta Leta.
- "Unë jam Gishtoja i..."
- I Albanës, babi! - thotë Jorida shpejt e shpejt, që unë të mos përmend emrin e saj dhe, si merr kokrrën e lajthisë nga jastëku, shtrëngon gishtin e madh, poshtë katër gishtërinjve të tjerë të dorës, që të mos i futet në gojë.
- "Po jam Gishtoja i Albanës... Albana më thithi... dhe unë u hollova dhe u këputa...iiii!" - qante Gishtoja me lot, si zogu që qan "ciu-ciu-ciu!"
- "Hesht, mos qaj!"- i tha teta Leta dhe e mori Gishton dhe e vuri tek dora e vet: Gishtoja kishte dy duar të vockla, dy këmbë të vockla, dy sy të veckël, të veckël... dhe flokët i kishte...
- Hihihi!... Të kuq,- qesh Jorida.
Ec e ec e ec... dhe Gishtoja"pshau! pshau!" nxori shaminë e vogël dhe e vuri para gojës.
- Shamizën, - shpjegon Jorida
- "Më ka zënë rrufa, - tha Gishtoja, se atje te goja e..."
- E Albanës, babi!
- E Albanës, Jorida, te goja e Albanës Gishton e kishte zënë gripi, se qëndronte gjithmonë në lagështirë dhe, kur doli që andej, u ftoh. Gishtërinjtë e tjerë të Albanës nuk u ftohën, se ata rrinin gjithmonë në ajër të pastër dhe në rreze të diellit.
Po teta Leta i tha:
- "Ti Gishto, bëre një gabim tani..." Gishtoja hapi syçkat dhe po qeshte:
- "Hihihi!" - dhe dy dhëmbëzit e parë i dolën jashtë.
Dhe Jorida hap syçkat.
- "Pse teta Leta, bëra gabim?!"- tha Gishtoja dhe u skuq nga turpi.
- Nuk nxorri shamizën dhe pastaj të... të... të "pshë!" - thotë Jorida dhe qesh, se nuk e di të thotë "të teshtinte".
Pastaj teta Leta e mblodhi Gishton me shaminë e pastër, por harroi dhe e futi Gishton në xhep.
- Obobooo! ... Po pastaj, babi?!
Koha s'vjen pas teje, ti hiq pas kohese!
Naim Frasheri