127 familje të lagjes “Kolonia” në Gjakovë ndihmohen me dru zjarri
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në bashkëpunim me partnerët e Lëvizjes së Kryqit të Kuq, sot në Gjakovë filluan programin e ndihmave për dimërim, në mbështetje të familjeve skamnore nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Kështu, 127 familje, nga lagja “Kolonia”, e cila kryesisht është e banuar nga pjesëtarë të komunitetit romë, kanë përfituar ndihma nga dy metra dru zjarri, pikërisht në kohën kur më së shumti kanë nevojë.
Shpërndarjen e ndihmave e ka bërë dega e Kryqit të Kuq në Gjakovë, ndërsa Dushe Lama, aktiviste e kësaj dege, ka premtuar se në të ardhmen do të ketë edhe ndihma të tjera si ato në veshmbathje dhe në ushqim.
Sipas përfaqësuesve të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, gjatë ditëve të ardhshme ndihma në dru zjarri në Kosovë do të përfitojnë gjithsej 500 familje, ndërsa afro 5 mijë familjeve skamnore do t’iu shpërndahen edhe pako me ushqime dhe rroba dimri.
Gjithnjë sipas Kryqit të Kuq, Federata dhe partnerët vendorë do të vazhdojnë ta vlerësojnë gjendjen humanitare të kategorive më të prekura të popullatës në mënyrë që t’iu ofrojnë atyre ndihmën e domosdoshme.
