Alket
Senior Member
Senior Member
Beiträge: 3129
Registriert: Mi, 26. Mai 2010, 13:35

Kush ishte Papa Kristo Negovani?

Mi, 31. Okt 2012, 18:44

Bild


Papa Kristo Negovani



Në historinë e një populli ka disa data, vite dhe dekada e shekuj, të cilat shënojnë përvjetorët e personaliteteve, institucioneve dhe ngjarjeve të caktuara kombëtare, por në historinë e popullit historik shqiptar, janë disa personalitete, institucione dhe ngjarje emrat e të cilëve nuk identifikohen me përvjetorë. Përkundrazi, ato janë simbole, emrat e të cilëve janë referenca të përherëshme kombëtare, pavarësisht kohës kur kujtohen ato dhe pavarësisht momentit kur duam t’i identifikojmë. Papa Krizto Ngovani është njëri prej atyre simboleve emri dhe veprta e të cilit i bashkon të gjitha vlerat kombëtare si një, madje si dje, si sot, si nesër.Papa Kristo Negovani (Harallambi) (1875-1905), lindi në Negovan të Kolonjës, në anën lindore të Gramozit, sot në Greqi.

Arsimin fillor e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Athinë. Fillimisht shërbeu si prift e mësues në gjuhën greke, ndërsa në vitin 1894 mërgoi në Brailë të Rumanisë, ku krahas punës si zdrukthëtarë u aktivizua në shoqëritë shqiptare “Drita”, “Dituria” e “Djalërua shqiptare”.Më 1987 u kthye në vendlindje me një qëllim të madh. Të angazhohej në lëvrimin e gjuhës shqipe, në hapjen e shkollave shqipe dhe madje ligjërimin e saj edhe në kishë dhe të punonte drejtpërdrejtë në misionin e madh që kryente Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe pasardhësit e saj. Kthimin e tij në vendlindje Papa Kristo Negovani tashmë nuk e shihte si heqje dorë nga puna mes bashkatdhetarësh patriotë në Rumani, por e shihte si një mision për të dërguar në atdhe vlert dhe virtytet e Rilindjes Kombëtare, që pas shtypjes nga hierarkia shtetërore osmane po rrezikoheshin të shkileshin edhe nga pretendimet shoviniste të fqinjëve grekë e serbë. Sigurisht kjo është arsyeja pse në vendlindje nuk do të sjell gjilpëra, gozhda e qekanë (mjetet e punës së marangozit), po libra, lapsa e fletore (mjetet e punës së mësuesit) dhe sigurisht kjo është arsyeja pse në shtëpi nuk do të hap duqanin e punës po mësonjëtoren e shkollës shqipe. Kjo është arsyeja pse Papa Kristo Negovani, në vendlindjen e tij, nga Rumania solli disa nga veprat e rilindësve shqiptarë për shkollat shqipe, të cilat tashmë i kishin botuar. Krahas shkollës Papa Kristo Negovani në vendlindjen e tij dhe në rrethinë do të përhapë ato ide kombëtare që e shquanin identitetin kombëtar përtej identitetit fetar; identitetin gjuhësor përtej identitetit teologjik, virtytin e marrësit (shqiptarët) përtej kultitit të dhënësit (priftërinjtë kryesisht grekë, apo që ligjëronin liturgjinë vetëm në gjuhën greke); adhrimin e “atdheut të përkohshëm” (Shqipërisë) që po përlindej pas shumë shekujsh, përtej adhurimit të atdheut të përhershëm (Botës së përtejme), të cilën e predikonin bashkëkohësit e tij barinj, e të tjera e të tjera.Kjo është arsyeja pse, sipas kronistëve të kohës Papa Kristo Negovani, më 10 shkurt 1905 organizoi një shërbesë kishtare në gjuhën shqipe, duke e pasur të pranishëm edhe peshkopin e Kosturit, Kravangjelis. I ndezur nga dogmatizmit fetar i kohës dhe lëvizjes shoviniste greke, Peshkopi i Kosturit nxiti disa banditë, të cilët vetëm dy ditë më vonë, 12 shkurt 1905 e masakruan në mes të fshatit bashkë me të vëllanë dhe tre bashkëfshatarë të tjerë. Mirëpo Papa Kristo Negovani, tashmë nuk ishte as vetëm marangozi i djeshëm, as vetëm prifti i fshatit që bekonte adhurimin për zotin, as vetëm mësuesi i gjuhës shqipe që po ringjallej nga hiri i saj, as vetëm patrioti i zonës që shpërndante fjalët e rilindësve në vend të fjalëve të të dërguarve të zotit. Negovani ishte më shumë se kaq, ishte patrioti i kthyer në simbol të Atdheut, Kombit dhe Gjuhës së tij. Një shenjë historike që mbante gjallë lëvizjen kombëtare të kohës, një personalitet vrasja e të cilit preku përvajshëm gjithë kombin shqiptarë, e veçanërisht djalërinë kryengritës shqiptare, e cila në këto kohë të vështira, në kapërcyllë të shekullit XX, i kishte marrë fatet e Atdheut në duartë e saja.Vrasja e tij zëgjoi zemërimin e krijuesve, prej të cilëve edhe sot kujtohen vargjet antologjike: “Fëmia, e tu jân prozët e vjershat në giuh kombetare”; zemërimin e bardit popullor prej të cilit janë ruajtur vargjet emblematike:Papa Kriston e vranë / dhe s’ra për të një kambanë...”!; - reagimin gjithpopullor dhe propozimin më të veçantë në historinë kombëtare, me të cilën ata kërkonin që ditëlindja e tij të bëhej festë kombëtare; dhe më në fund, reagimin e drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare të kohës, sikur ishte ai i luftëtarit Bajo Topulli, sipas të cilëve “gjaku i Papa Kristo Negovanit duhej të merrej me nder e për fitim të gjithë kombit”, prandaj edhe e morën në njëvjetorin e vrasjes së tij, duke e vrarë Dhespotin e Korçës. Të nderuar Zonja dhe ZotrinjëZërave të një shekulli më parë, viteve të fundit i jami bashkuar edhe në Universitetin e Prishtinës.* * * Papa Kristo Negovani është njëri prej atyre personaliteteve historike emri i të cilit është bërë shenjë e të kaluarës sonë krenare dhe referencë individuale e kolektive, e cila më shumë se ngjarje a personalitet historik, është bërë simbol universal i kujtesës sonë shpirtërore e materiale. Me emrin e tij, me gjuhën shqipe që predikonte ne faltore, me bëmat e tij jetësore, në të vërtetë me jetën dhe vdekjen e tij, me veprat e tij letrare, kulturore, iluministe, etnografike dhe teologjike, me emrin e tij dhe madje me shquarsinë e titullit fetar të tij Papa Kristo, si edhe Hoxha Tahsini, apo Gjergj Fisha, para titujve të të cilëve u gjunjëzua edhe drejtshkrimi i gjuhes shqipe, si pak emra të tjerë në historinë tonë, bashkojnë të gjitha virtytet etnohistorike dhe gjuhësore e qytetëruese të popullit shqiptar.Të nderuar Zonja dhe ZotrinjDëshiroj të ju njoftoj se, të nxitur nga një traditë e gjatë letrare dhe artistike në Universitetin e Prishtinës dhe nga dëshira që ajo të ringjallet edhe njëherë, në Fakultetin e Edukimit vendosëm që bashkë me disa kolegë dhe studentë, që të themelojmë një grup letrar, me qëllim të krijimit të hapësirave të reja për aktivitetet e tyre. Le të shpresojmë se me këtë qerthull krijuesish kemi plotësuar disa nga ëndërrat rinore të studentëve krijues.Në këtë grup tashmë janë angazhuar mjaft studentë dhe mësimdhënës, ndërsa pjesë të po këtij qerthulli i konsiderojmë edhe krijuesit jashtë Fakultetit tonë dhe Universitetit, të cilët interesimin tonë e kanë përkrahur jo vetëm me krijimet e tyre që i lexojnë po edhe me veprat autoriale që do të shpërndajnë në mesin tonë.Te nderuar kolegë, besoj se synimet tona largvajtëse në grupin letrar i kemi shprehur edhe me pagëzimin e tij me emrin e rilindësit dhe atdhetarit të shquar të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX Papa Kristo Negovanit. Një emër tjetër zor se do ta nderonte më shumë, një institucion që për synim ka përgatitjen e mësuesit bashkëkohor dhe me vetëdije historike njëkohësisht. Pagëzimi i grupit letrar me emrin e Papa Kristo Negovanit shpresoj të jetë një mesazh i qartë kulturor dhe atdhetar njëkohësisht. Ai ishte kleriku dhe patrioti që me punën e tij rrezatonte besim dhe dije, arsim dhe kulturë, guxim qytetar dhe krenari kombëtare.Le të jetë prandaj ky emër një mesazh që del nga Universiteti ynë, për të gjithë ata që viteve të fundit angazhohen shumë për konceptet krahinore në jetën tonë kulturore, që punojnë shumë për tkurrjen e historisë kombëtare, që kufijtë e gjuhës shqipe i caktojnë deri në fund të krahinës sy stërgjyshit të tyre, që hapësirën etnografike shqiptare ia mbindërtojnë hapësirës së popullit modern shqiptare, që ditën dhe natën rindërtojnë me shumë pasion muret gjuhësore, kulturore dhe madje historike nga njëri dialekt (tosk) te tjetri (gegë) dhe madje te i ashtuquajturi dialekt kosovar dhe nga njëri besim (mysliman), te tjetri (katolik) për t’ia vënë pikën atij ortodoks. Le të bëhet prandaj martiri i gjuhës dhe shkollës shqipe Papa Kristo Negovani refuzimi ynë i madh kundër gjithë atyre që në çfarëdo mënyre përmbysin konceptet kombëtare të shkollës dhe kulturës e historisë kombëtare dhe një thirrje e fuqishme që shkollën nacionale ta ndërtojmë mbi konceptet e rilindasëve si Papa Kristo Negovani, të cilët për gjuhën dhe shkollën shqipe punuan dhe menduan shqiptarisht.Le të jetë Papa Kristo Negovani edhe sot Ylli Polar i ruajtjes së unitetit tonë gjithëkombëtar, në prag të hyrjes së gjithë shqiptarëve në Bashkimin Europian. Prishtinë, 5 shtator 2011

Begzad BALIU

Benutzeravatar
egnatia
Danke für die vielen Übersetzungen
Danke für die vielen Übersetzungen
Beiträge: 2912
Registriert: Fr, 15. Jul 2005, 12:58

Historia e Ismail Qemalit - Darling Ismail Vlora

So, 10. Feb 2013, 21:21

Disa shkrime interesante marrë nga Faqja Portale http://www.bijteeshqipes.org/
http://bijteeshqipes.us/Dy-djemte-e-Ismail-Qemalit.html

Dy djemtë e Ismail Qemalit, për të cilët nuk u fol kurrë (Fatkeqësisht, historia e Ismail Qemalit dhe e familjes së tij, kur vendi po i afrohet 100 vjetorit të Pavarësisë, pret akoma të shkruhet)

nga: Darling Ismail Vlora
darling.vlora@virgilio.it

Marr shkas të shkruaj diçka për Familjen e Ismail Qemalit, për djemtë dhe vajzat e tij, veçanërisht duke u ndalur në dy prej tyre, jo vetëm thjesht për të treguar një aspekt të panjohur të jetës së tij, por ngaqë historia jonë (në këtë rast historia e Atij që Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e një populli të tërë, Atij që sakrifikoi gjithshka për Atdheun), është shkruar dhe vazhdon të shkruhet shtrembër, një paradoks i paparë, kur vendi po i afrohet 100 vjetorit të Pavarësisë!!! Në ndonjë rast shkruhet shtrembër, për mosdije; në ndonjë rast qëllimisht. Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për një figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërrmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike. Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi krejt ndryshe. Për familjen e tij as që u fol ndonjëherë!!! Por nëse atëhere historiografia ishte kthyer në një instrument, në shërbim të regjimit në fuqi, po sot? Përse «historianët» nuk e shkruajnë historinë e Njeriut të Pavarësisë, Atij që u krijoi shtetin? Në veprën «Collected Works», shteti indian, për të nxjerrë në pah, me tërë madhështinë e mundshme, ka përmbledhur, në 100 vëllime (me rreth 50.000 faqe), fjalimet, intervistat, shkrimet, artikuj gazetash, letra personale, etj., etj., pra gjithë aktivitetin e Njeriut të madh, Gandi, duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm historisë dhe duke respektuar me nderim sakrificat që Gandi bëri për Kombin e tij. Ky është vlerësimi që meritojnë njerëzit e mëdhenj.
Për Ismail Qemalin, Simbolin e Pavarësisë, atë që patriotët, bashkohës të tij, e kanë cilësuar Cavour-in e Shqipërisë apo Gladstone, dhe që shqiptarët, kudo në botë, e kujtojnë me respekt në Ditën e Shenjtë të Flamurit, në këtë ditë që na bën të ndjehemi krenarë dhe shqiptarë, historiografia jonë s'ka bërë asgjë: rreth 5-6 punime që, ndoshta, po t'i mbledhësh faqet e tyre, janë më pak se vetë «Kujtimet» e Ismail Qemalit!!!
Pra, nisur nga ky fakt, me dëshirën për të hedhur dritë, sado pak, mbi një aspekt të panjohur të jetës së Themeluesit të shtetit shqiptar, duke shpresuar që historianët e ardhshëm, duke lënë mënjanë pasionet dhe skemat politike, të studiojnë siç duhet jetën dhe veprën e tij, atëhere, padyshim që do dali në pah, me tërë madhështinë, edhe kontributi i madh që ka dhënë Familja e tij, paraardhësit dhe pasardhësit, në dobi të çështjes kombëtare.
Më 1867, siç shkruan edhe vetë në «Kujtime», ndërsa ndodhej me punë në Rusçuk (Bullgari), atëhere pjesë e Perandorisë Osmane, Ismail Qemali u martua me Kleoniqi Surmeli, me të cilën, siç do shprehej edhe vetë, pati lumturinë të kishte 10 fëmijë, gjashtë djem: Mahmud bej (1871-1920), Tahir bej (1875-1932), Et''hem bej (1884-1937), Xhevdet bej (1888-1910), Qazim bej (1893-1953), Qamil bej (1895-1950) dhe katë vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (xx-1955), Ylvije (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.

Et'hem Bej Vlora Et'hem bej Vlora, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali dhe Qazim bej Vlora (rreth vitit 1912)

Padyshim, një njeri me një pozitë të lartë, me kulturë të gjerë, reformator dhe liberal si ai, do të tregonte një kujdes të veçantë për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tij. Të nëntë fëmijët e Ismail Qemalit ishin të paisur me një kulturë të gjerë, njohës të shumë gjuhëve të huaja, të shkolluar e, mbi të gjitha, atdhetarë. Gjatë përpjekjeve të tij në dobi të çështjes shqiptare, Ismail Qemali gjeti një mbështetje të madhe tek familja e tij, veçanërisht tek djemtë, dy prej të cilëve nuk ju ndanë, që nga viti 1900, kur ai u arratis nga Turqia dhe deri ditën që vdiq, më 24 janar 1919. Jo pak, por 19 vjet, ata e shoqëruan kudo.

Gjatè misionit diplomatik nè Konferencèn e Ambasadorève, nè Londèr (1913)

Më 1900 Ismail Qemali u arratis nga Turqia, duke marrë me vete vetëm tre nga djemtë e tij: Et'hem bej, Xhevdet bej dhe Qazim bej. Pjesa tjetër e familjes (dy djemtë e mëdhenj Mahmud bej dhe Tahir bej, punonin në administratën shtetërore turke dhe, më pas, Sulltani do t'i internonte; vajzat ishin të martuara; djali i vogël ishte 5-vjeçar dhe gruaja) do qëndronin në Stamboll.
Të tre djemtë e tij, në atë kohë, ishin akoma të vegjël. Siç shkruan Anslemo Lorecchio, në gazetën e tij «La Nazione Albanese», kur Ismail Qemali arriti në Napoli, më 18 maj 1900, «shoqërohej nga tre djem të tij, Ibrahim Edhem beg, gjashtëmbëdhjet vjeç; Ahmed Djevdet beg, dymbëdhjet vjeç dhe Kiazim beg, shtatë vjeç» (Catanzaro, Itali, 30 qershor 1900, f.1). Gjatë periudhës së gjatë të viteve të emigrimit (8 vjet), ata do të rriteshin vetëm me të atin, duke krijuar kështu një lidhje të fortë, që do të vazhdonte përgjatë gjithë periudhës së Lëvizjes Kombëtare, ku Ismail Qemali luajti një rol kryesor. Xhevdet bej Vlora vdiq i ri, nga turbekulozi, aty nga viti 1910, ndërsa Et'hem beu dhe Qazim beu do t'i qëndronin përkrah deri më 24 janar 1919, kur ai do të mbyllte sytë në Peruxhia të Italisë, ndërsa përgatitej, me tërë energjitë e tij, për të marrë pjesë në Konferecën e Paqes, në Paris.
Et'hem bej Vlora. Lindi në Stamboll, më 1884. Studimet fillore i mori në vendlindje ndërsa më pas studioi në qytete të ndryshme të Europës si Lozanë, Paris e Bruksel. Në tetor 1912, përpara se Ismail Qemali të nisej për Bukuresht, për të filluar udhëtimin drejt Pavarësisë, Et'hemi u nis për Vlorë dhe mori pjesë në Komisionin përgatitor për Shpalljen e Pavarësisë, duke qenë koordinator i këtij Komisioni me Ismail Qemalin. Në një letër që Ibrahim Shyti i dërgonte mësuesit Musa Muho, më 1969, lexojmë: «Sa për djalin e Ismail Beut, Et'hemin, ai ka qenë ushtarak dhe ato kohë erdhi në Vlorë, me këshillë të Ismail Beut e të Gurakuqit, dy muaj para se të shpallej indipendenca. Ca kohë qëndroj në shtëpinë e Hamza Isait e ca kohë në atë të Ymer Radhimës. Në mbledhje me vlonjatët transmetonte letrat që i vinin nga Nica e Francës dhe me telegraf komunikonte me Ismail Ben. Et'hem Beu ishte i urtë e me plot fjalë të mënçura. Ai kishte pasur shokë në Stamboll Toto Hosen nga Bolena. Po atë nuk e poqi dotë sepse autoritetet turke e kishin larguar nga ushtria. Gjithë Paria e Vloërs, nuk bënte gjë pa pyetur Et'hem Beun» («Nga Epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë», Tiranë 2000, f.241). Më 9 nëntor 1912, nga Vjena, Ismail Qemali dërgoi dy telegramet e njohura historike, njërin drejtuar Et'hemit dhe tjetrin parisë së Vlorës: «Vij me vaporin më të parë. E ardhmja e Shqipërisë është siguruar. Telegrafoni kudo të kenë besim të plotë për fatin e atdheut. Duke u rekomanduar marrëveshje vëllazërore, bashkëpunim, ecje në rregull të punëravet shtetërore, ruajtje të rendit publik, përshëndetje atërore, Qemal» («Ismail Qemali -përmbledhje dokumentash», Tiranë 1982, dok.183). Më 13 nëntor 1912 Et'hemi i përgjigjet të atit nga Vlora: «Falenderime të sinqerta për të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ftuar kudo bashkatdhetarët të dërgojnë në Vlorë delegatë për Asamblenë. Delegatët e emëruar presin udhëzime pas komunikimit të telegramit tuaj. Na udhëzoni nëse është e nevojshme të bëhet mbledhja. Shpejtoni ardhjen në qoftë se Durrësi nuk është i bllokuar. Qetësi e plotë. Presim me padurim sqarimin e gjendjes. Të fala me respekt në emër të bashkatdhetarëve, Et'hem» (po aty, dok.185). Në krye të trupave ushtarakë rezervistë, me gradën e kapitenit, Et'hemi organizoi pritjen e delegatëve në Vlorë dhe, gjatë periudhës së Qeverisë së Vlorës, e gjejmë së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Hysen Vrionin në përpjekje për njohjen e Qeverisë së Vlorës në Veri të vendit (po aty, dok.291/295). Mori pjesë në delegacionin e Qeverisë së Vlorës, kryesuar nga Ismail Qemali, pranë Konferencës së Ambasadorëve, në Londër (1913). Më 1914, pas dorheqjes së Ismail Qemalit nga Qeveria, u largua nga Shqipëria, së bashku me të atin. Në dhjetor 1918 Qeveria italiane e ftoi Ismail Qemalin në Romë, për të koordinuar veprimet mbi të ardhmen e Shqipërisë. Nga Spanja, ku ndodhej me familjen, Ismail Qemali, shoqëruar nga Et'hemi dhe Qazimi, u nis për Itali. Pas vdekjes së Ismail Qemalit, Et'hem beu u zgjodh nga shqiptarët e Amerikës, të grumbulluar rreth «Partisë Politike», delegat në Konferencën e Paqes, në Paris, midis emrave të dëgjuar si Hasan Prishtina, Aqif Pashë Elbasani, Pandeli Cale, Mit'hat Frashëri, Ali bej Klisyra, Nuredin bej Vlora, etj., Më pas u vendos në Tiranë dhe nuk u mor me politikë. Më 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, ku u zhvillua edhe ceremonia e zhvendosjes së eshtrave të Ismail Qemalit, nga Kanina në Vlorë, Et'hemi dorëzoi, gjatë ceremonisë, Flamurin dy krenar që u ngrit në Vlorë, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Për këtë, gazeta «Besa», më 29 nëntor 1932, do shkruante: «Me Flamurin që është ngritur në Vlorë, më 28 nëntor 1912, janë bërë fotografitë e rastit dhe flamuri, nga Et'hem Vlora, i dorëzohet prefektit i cili ja jep ministrit të Arsimit Hilë Mosi, i cili do ta dorëzonte në Muzeun Kombëtar...».

Kapiten Et'hem bej Vlora, gjatè festimit tè pèrvjetorit tè parè tè Pavarèsisè (Vlorè, 28 nèntor 1913)
Më 7 maj 1937, krejt papritur, Et'hem bej Vlora vdiq në Spitalin «Zog I», në Tiranë. Shtypi i kohës e përcolli me dhimbje vdekjen e tij. Gazeta «Shtypi», që dilte në Tiranë, shkruante: «Zhdukja e një patrioti fisnik» (Tiranë, 10 maj 1937, f.4); Gazeta «Jeta e Re», që dilte në Vlorë, midis të tjerash shkruante: «Dje na erdhi lajmi i vdekjes së kapiten Et'hem Vlorës. I ndjeri ishte një burrë i urtë, i matur dhe i ndershëm. Të ndyerin e kujtojmë me mallëngjim gjithë Vlora dhe veçanërisht shokët e tij vlonjatë të 1912ës» (Vlorë, 10 maj 1937, f.4). Ceremonia e varrimit u krye me nderime të mëdha. Gazeta «Drita», nën titullin «Një shumicë e madhe autoritetesh civile dhe ushtarake e shoqëruan kufomën e Et'hem Vlorës», e jep të plotë këtë ceremoni mortore, në faqe të parë të saj, shoqëruar edhe me një foto të ceremonisë (Tiranë, 9 maj 1937, f.1). Et'hem bej Vlora u martua me Ismete Ohri (Toptani), me të cilën nuk pati fëmijë.
Qazim bej Vlora. Lindi në Stamboll më 1893. Që nga viti 1900, kur Ismail Qemali u arratis nga Stambolli, qëndroi gjithmonë pranë të atit. Ka qenë i pranishëm në çdo aktivitet, takim, udhëtim të kryer nga Ismail Qemali, duke e shoqëruar kudo, gjë që vihet re, jo vetëm në «Kujtimet» e Ismail Qemalit, por edhe në dokumentat dhe fotot e kohës. Gjithmonë kur e prezantonte tek miqtë Ismail Qemali shprehej: «Ky është arkiva ime e gjallë, ruan në kokë çdo material të botuar ose të folur, që më hyn në punë për problemin e madh shqiptar. Eshtë im bir, Qazimi». Pas fitores së Revolucionit xhonturk, më 1908, shoqëroi të atin në Vlorë ku, siç dihet, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Ishte i pranishëm në takimet e Ismail Qemalit me Hasan Prishtinën, për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, gjatë viteve 1909-12, gjë që vërtetohet edhe nga foto të kohës. Gjatë viteve 1910-12 zhvilloi një aktivitet të gjerë për furnizimin e kryengritësve shqiptarë me armë: «...akuzohet një shoqëri gjoja klandestine, -lexojmë në një relacion të konsujve në Vlorë, -e cila gjendet nën drejtimin suprem të Qazim beut (djalit të Ismail Qemalit) që, ndër të tjera, përfshika përsëri edhe personat e komprometuar në çështjen shkollore, sepse mbledh të holla për tu ndihmuar shqiptarve të Veriut kundër trupave osmane si dhe importon fshehurazi armë dhe municione për një kryengritje të mundshme...» («Ismail Qemali -Përmbledhje Dokumentash», Tiranë 1982, dok.114). Ishte i pranishëm në Podgoricë, gjatë përgatitjeve për Kuvendin e Gërçes (23 qershor 1911) dhe është autori i përkthimit në shqip të këtij Memorandumi («Le Figaro», Paris, 8 korrik 1911, f.2). Për t'u shpërndarë kryengritësve Memorandumin, shtypur si libër më vete, dhe për të marrë aprovimin e tyre, Ismail Qemali e dërgoi në Podgoricë, së bashku me Qazim Kokoshin (Bardhosh Gaçe, «Lëvizja Kombëtare në Vlorë, 1878-1912», Tiranë 1999, f.155). Më 25 tetor shoqëroi të atin për Bukuresht. Mori pjesë në mbledhjet e kolonisë shqiptare të Bukureshtit sidhe në të gjitha takimet që Ismail Qemali zhvilloi përgjatë gjithë udhëtimit të tij për Shpalljen e Pavarësisë. Mori pjesë në delegacionin diplomatik, drejtuar nga Ismail Qemali, në mbrojtje të çështjes shqiptare, pranë Konferencës së Ambasadorëve, në Londër (1913). Gjatë Luftës I-rë Botërore qëndroi në Francë, Itali e Spanjë. Së bashku me të vëllanë, Et'hemin, shoqëroi të atin në Peruxhia (Itali). Më 1921 Qazim bej Vlora hodhi kandidaturën për deputet, në Vlorë, por nuk fitoi. Mbase në këtë kohë gëzonin më shumë simpati në popull luftëtarët e shquar të Luftës së Vlorës si, Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, etj. Në ato pak rreshta të prezantimit të tij si kandidat lexojmë:
«Duke parë se gjithë Zotrinjtë kandidatë kan botuar programin e tyre e pashë të nevojshme të them edhe un disa fjalë: Nuk shoh asnjë nevoj për të paraqitur një program; sepse le ta lemë mënjanë që nuk është e mundur të shtrëngohet ky me nja dy shtylla të një gazete, por edhe duhet që të gjithë bashkatdhetarët e mi të dijnë mendimin që kam patur si udhëheqës gjithnjë e do ta kem ku është përpjekja me të tërë mjetet e mënyrat: të mbrojturit e Atdheut e të drejtat e tij. E akoma unë në është se e vura kandidaturën time kjo nuk është nga asnjë ndjenjë e interesit të veçantë por nga patriotizmi i thjeshtë, me qëllim që të jem ndërmjetës midis popullit e Qeverisë së tij e kështu të mundem të mbroj e të përkrah interesat dhe hallet e tij, të siguroj lumturin e fatbardhësin e tij me mjetet që sot qytetrimi dhe përparimi na shtron përpara.
Me këtë rast përfitoj t'i paraqes falenderimet e mia shumë Zotërinjve që më kanë dhënë kurajo e veçanërisht bashkëqytetarët e mi të cilët gjithnjë më tregojnë një dashuri të vërtetë, lavdi emrit që mbaj i cili përmënt kujtimet e të palodhurit mbrojtësit të tyre.
Pra, është me plot besim që paraqitem përpara jush duke shpresuar se ky popull që e kam dashur në gjithë jetën time, që i kam vrapuar në më të voglat rreziqe duke hyrë gjithnjë në rrjeshtat e tij, do të më gjej të meritueshëm për besimin e tij. Kiazim Kemal Vlora, Vlorë, 17.02.1912» («Mbrojtja Kombëtare», Vlorë, 20 shkurt 1921, f.1).

Ismail Qemali, Qazim bej Vlora dhe Hasan Prishtina (Stamboll, rreth vitit 1910)
Rreth vitit 1936 u martua me Behije Masllafin, e veja e Inajet bej Ohrit, me të cilën nuk pati fëmijë. Pas «çlirimit» të Shqipërisë u vendos në Strugë dhe pas prishjes së marrdhënieve shqiptaro-jugosllave, më 1949, nuk u kthye më në atdhe. Më 1949 policia maqedonase i sekuestroi një pjesë të dokumentacionit, që kishte me vete. Sipas historianëve struganë ai kishte një dokumentacion të pasur dhe një bibliotekë shumë të madhe, fati i të cilave nuk dihet. Mbetur në vetmi të plotë, larg familjes e atdheut, Qazim bej Vlora vdiq në dhjetor 1953. Shoqata e Historianëve Strugan, pas kërkimeve të shumta, më 1997, zbuloi vendin ku preheshin eshtrat e Qazim bej Vlorës, duke i vendosur dhe një pllak mbi varr. «Me këtë akt, -ka theksuar Kryetari i Forumit Intelektual të Strugës, -pastruam ndërgjegjen tonë prej shqiptari, që për shumë vjet, për arsye objektive, nuk e kemi ditur se në varrezat tona të Strugës prehen, jo vetëm eshtrat e njërit nga djemtë më të mirë të Ismail Qemalit, Qazim bej Vlora, por bashkë me to edhe një pjesë e ndritur e historisë tonë kombëtare, për të cilën ne jemi krenarë».
28 nëntor 2008

Shtojcë
Ngacmues èshtè fakti qè, Flamuri qè u ngrit nè Vlorè, mè 28 nèntor 1912, i cili tashmè nuk gjendet mè dhe kohèt e fundit ka patur shumè diskutime rreth tij (i kujt ishte, nga erdhi, kush e qèndisi, etj), sipas gazetès "Besa" tè vitit 1932, kur jetonin thuajse tè gjithè pjesèmarrèsit e Pavarèsisè, pra njè fakt mè se i besueshme, ruhej nga Et'hem bej Vlora i cili, gjatè ceremonisè sè 20-vjetorit tè Pavarèsisè, ia dorèzoi shtetit.
Koha s'vjen pas teje, ti hiq pas kohese!
Naim Frasheri

Benutzeravatar
egnatia
Danke für die vielen Übersetzungen
Danke für die vielen Übersetzungen
Beiträge: 2912
Registriert: Fr, 15. Jul 2005, 12:58

Kostandin Kristoforidhi

Do, 11. Apr 2013, 14:47

Kostandin Kristoforidhi
Ditëlindja: 1827
Vendlindja: Elbasan
Nënshtetësia: Shqiptar

Kostandin Kristoforidhi (1827 - 1895)

Lëvrues dhe studiues i shquar i gjuhës shqipe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit dhe i kulturës. Lindi në Elbasan, ndoqi nga viti 1847 gjimnazin Zosimea të Janinës, ku ndihmoi J. G. Hanin për të studiuar shqipen e për të hartuar një fjalor shqip-gjermanisht. Shkoi në Stamboll më 1857 dhe për të treguar nevojën e një pune të re me përkthimet shqipe hartoi një Memorandum për gjuhën shqipe. Qëndroi në Maltë deri më 1860 në një seminar protestant, ku ndërkohë përfundoi përkthimin e Dhjatës së re toskërisht e gegërisht. Paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860). U vendos mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Botoi më 1866 përtkhimin e parë gegërisht Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhjata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Nomi i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (toskërisht 1884). Ka lënë dorëshkrim Krijesa dhe të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t'u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874 pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës. U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. U vendos përfundimisht më 1884 në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq.
Veprimtaria e tij themelore ishte në dy fusha të lidhura ngushtë: për gjuhën dhe për shkollën shqipe. Botoi më 1867 Abetaren gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit. Bashkë me atdhetarë të tjerë mori pjesë në Komisionin për alfabetin e për arsimin më 1867 në Stamboll dhe i vazhdoi më pas përpjekjet e përbashkëta për alfabetin. U përpoq me Hasan Tahsinin e të tjerë të ngrinte shkollën shqipe. Idetë më të rendësishme i ka shprehur në një letër drejtuar Nikolla Naços më 1888.
Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është Fjalori i gjuhës shqipe. Më 1882 botoi Gramatikën e gjuhës shqipe sipas dialektit toskë; ka lënë edhe disa dorëshkrime me shënime gjuhësore. Përkrahte teorinë për prejardhjen pellazge të shqipes. Nxori në dritë vlera të shumta të visareve të gjuhës së popullit, dha ndihmesë të veçantë për pastërtinë e gjuhës dhe dëshmoi se dialektet e shqipes nuk kishin dallime të mëdha. Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe në përkthimet e në veprat e tjera ndihmoi për themelimin e gjuhës letrare kombëtare. Provoi prozën me tregimin e shkurtër Gjahu i malësorëve (botuar më 1902). Punoi për një sistem arsimor kombëtar, të mbështetur në një pedagogji e didaktikë përparimtare demokratike.
Në pikëpamjet politiko-shoqërore Kostandin Kristoforidhi ishte iluminist demokrat. Si rrugë kryesore shihte zgjimin kombëtar nëpërmjet shkollës e kulturës dhe gjuhën amtare e shihte si mjetin më të rëndësishëm për përparimin kombëtar. Ishte ndër përfaqësuesit e parë që u bënë shprehësit ideorë të lëvizjes kombëtare dhe bëri përpjekje për ta vënë në jetë programin e rilindësve në fushën e kulturës e të arsimit. Ai vdiq në vitin 1895.

Burimi i të dhënave nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Koha s'vjen pas teje, ti hiq pas kohese!
Naim Frasheri

Zurück zu „Shqip“