Vëllezërit Frashëri
Prindërit dhe fëmijët:
Halid Frashëri (1797 - 1859)
Emine Mirahori (1814 - 1861)
Fëmijët: Abdyl Frashëri (1839 - 1892), Nefise Frashëri (1841 - 1894),
Sherif Frashëri (1843 - 1874), Naim Frashëri (1846 - 1900), Shahnisha Frashëri (1848 - 1871), Sami Frashëri (1850 - 1904), Tahsin Frashëri (1853 - 1876) dhe Mehmet Frashëri (1856 - 1918).
Abdyl Frashëri (1839)
Abdyl Frashëri lindi në Frashër të (Përmetit) më 1839. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në fshatin e lindjes. Ai hyri në skenën e historisë në vitet e krizës lindore, pikërisht atëhere kur Shqipëria kishte më shumë nevojë për të. Pjekuria, trimëria dhe vendosmëria e vunë më 1877, në krye të Komitetit Kombëtar, i cili mori përsipër mbrojtjen e të drejtave të Kombësisë Shqiptare. Emri i Abdylit është i lidhur politikisht dhe organizativisht me atë të Lidhjes së Prizrenit. Zyrtarisht ai ishte një nga anëtarët e kryesisë së Lidhjes, por historia e pashkruar dhe masat popullore e njohin atë si kryetarin e vërtetë të saj. Abdyl Frasheri e udhëhoqi Lidhjen drejt fitoreve në luftë kunder synimeve të shteteve shoviniste fqinje, kundër vendimeve antishqiptare të Fuqive të Mëdha dhe kunder qëndrimit të perandorise Osmane. Si organizator ai u shqua në punën e madhe që zhvilloi Lidhja e Prizrenit për bashkimin e mbarë popullit shqiptar. Si aktivist Abdyli i ra Shqipërisë, më tepër se kushdo tjetër, tej e mbanë, që nga Preveza e deri në Mitrovicë, që nga Durrësi deri në Manastir dhe nuk la krahinë pa vizituar së afërmi, pa biseduar me njerzit e saj, pa e njohur mendimin e tyre. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës, ku arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Veprimtarinë e tij e kryesore e ushtroi më shumë në vilajetin e Janinës dhe të Kosovës. Si diplomat ai përfaqësoi denjësisht lëvizjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, mbrojti me dinjitet interesat e vendit të vet para kancelarive të mëdha, parashtroi me kurajë në oborrin e sulltanit kërkesën për autonominë e Shqipërisë dhe me qartësi shtjelloi para opinionit botëror zhgjidhjen optimale, të krizës lindore, nga lëmshi ku e kishin ngërthyer Traktati i Shën Stefanit dhe Traktati i Berlinit. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme, që u formua në Prizren në vitin 1881. Pas shtypjes me forcë të Lidhjes u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe 20 muaj në internim, u lirua për arsye shëndetsore, me kushtin e heqjes dorë nga politika patriotike. Edhe pse i izoluar dhe i sëmurë, ai e vazhdoi veprimtarinë politike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892.
Naim Frashëri (1846)
Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër (Përmet). Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht dhe turqisht. Që në moshë të vogël filloi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur "Zosimea". Aty u zgjerua horizonti i tij kulturor. Njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke dhe romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetsuar disa gjuhë si: greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, italishten, persishten dhe frëngjishten Naimi, jo vetëm mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu dhe poezinë Evropiane e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u sëmur nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri për një klimë më të mirë. Ai pati në tërë veprimtarinë e tij patriotike, shoqe të pandarë, pendën, e cila u bë arma e preferuar e luftës së tij, kurse letërsia dhe shkolla - fusha e përditshme e betejës. Qysh me vjershat e tij të para shqip, ai i solli letërsisë shqiptare një frymë të re në përmbajtje dhe një tingull të ri në gjuhë. Naimi shkruajti poemën e parë letrare shqip "Bagëti e Bujqësi". Krijoi shkollën e parë me tekste në gjuhën shqipe më 1887. Botoi tekstin e parë mbi historinë e Shqipërisë dhe epopenë e parë kushtuar heroit kombëtar Skëndërbeut. Me vjershat e tij të zjarrta patriotike dhe me gjuhën e tij të ëmbël e të paster, Naimi terhoqi dashurine dhe respektin e bashkatdhetareve, duke u quajtur "bilbili i gjuhës shqipe" dhe u njoh si "poeti Kombëtar" i Rilindjes Shqiptare! Naimi njohu jetën e popullit, zakonet, virtytet, bukurinë e natyrës, krijimtarinë popullore nga afër. Ai njohu disa tradita poetike të huaja, prej të cilave mori elemente që u tretën mjaft natyrshëm në veprën e vet, por në radhë të parë një nga burimet e formimit si poet, i dha tradita historike e artistike e popullit të vet. Krijimtaria letrare e Naimit, kap një periudhë të shkurtër 13 vjeçare. Përveç veprës "Bagëti e Bujqësia" më 1886, ai shkroi dhe vepra të tjera si: "Vjersha për mësonjëtoret e para"(Vjersha për shkollat fillore), " Histori e përgjithshme", poemën në greqisht "Dëshira e vërtet e shqiptarëve", "E këndimit çunavet këndonjëtorja"(Libër leximi për fëmijë). Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht "Tehajylat" (Endërrimet) , më 1888 botoi " Dituritë", më 1890 "Lulet e verës", më 1894 "Parajsa dhe fjala fluturake", më 1898 "Historia e Skëndërbeut", "Qerbelanë" dhe së fundi "Historia e Shqipërisë" më 1889. Naim Frashëri vdiq më 20 tetor të vitit 1900 në Stamboll.
Sami Frashëri (1850)
Sami Frashëri lindi në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin "Zosimeja", në Janinë. Mësoi gjuhë të vjetra dhe të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kostandin Kristoforidhin, Hoxha Tasin etj. Samiu pati një veprimtari të dendur si publicist, si shkrimtar dhe si shkencëtar. Samiu ishte njeri me horizont të gjerë dhe dha një ndihmesë të shquar dhe në gjuhën turke. Në botën shkencore dhe letrare turke njihet me emrin Shemsetin Sami Frashëri. Nga penda e tij kanë dalë 40 vepra turqisht, ndër të tjera, ai është dhe autori i Kamus-ul alam-it në 6 vëllime - e para enciklopedi e historisë dhe e gjeografisë në gjuhën turke. Ai shkroi në turqisht dramën Besa me subjekt shqiptar më 1875, e cila u përkthye shqip më 1901 dhe u vu në skenë nga shoqëritë patriotike shqiptare qysh në vitet e sundimit osman. Sami Frashëri ishte dhe autori i alfabetit të shqipes, që u aprovua në pranverën e vitit 1879 dhe kryetari i Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip, që u themelua në Stamboll më 12 tetor 1879. Shkroi veprën e papërfunduar me këngë popullore me titull "Mbledhje këngëve shqip të vjetëra e të ra" - në Konstandinopojë më 4 qershor 1882. Sami Frashëri drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Si drejtor i gazetës "Turcuman-i Sark" (Interpreti i lindjes), e cila u botua në Stamboll gjatë vitit 1878, mbrojti me aq sa e lejonte censura turke, vijën politike të Lidhjes së Prizrenit. Së bashku me disa personalitete shqiptare të ndodhur në Stamboll, nënshkroi memorandumin që ata u drejtuan fuqive të mëdha (ministrit të punëve të jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy) më 20 qershor 1878, me të cilën kërkonin që të respektoheshin të drejtat jetike të Shqipërisë. Ai bëri dhe shumë përkthime nga letërsia botërore. Për shkollat e para shqipe botoi këto vepra: "Abetare e gjuhës shqipe" më 1886, "Shkronjëtore e gjuhës shqipe" (gramatikë e shqipes) më 1886 dhe "Shkronja" (gjeografia) më 1888. Hartoi dhe një fjalor në gjuhën shqipe. Vepra e tij kryesore është "SHQIPERIA Ç'KA QENE, Ç'ESHTE E Ç'DO TE BEHETE? e botuar në Bukuresht më 1889, pa emrin e autorit.
Përshkrimi i Frashërit nga një shkrim i Samiut:
Frashëri është një fshat i madh me një qytet të vogël. Gjendet në Shqipëri. Eshtë një vend malor, me një lartësi të konsiderueshme...
Ka 1.500 banorë... 4 faltore... 3 shkolla... 29 dyqane... 1 han dhe 3 mullinj. Pazari bëhet një herë në javë, çdo të martë. Aty zhvillohet një tregti mjaft e gjallë. Popullsia është shqiptare...
Frashëri ka një klimë të shëndetshme. Stinën e verës e ka të freskët, por dimrin mjaft të rreptë. Shumë herë rruga mbyllet me muaj të tërë nga dëbora e madhe...
(Me Tanzimatin) shumica e banorëve u detyrua të braktisë vendin e vet, Frashërin, dhe të mërgojë në Korçë, Manastir, Janinë, Stamboll dhe gjetkë. Për këtë arsye Frashëri ka marrë rrugën e dekadencës.
Krahina e Frashërit quhet "Dangëlli" që do të thotë "Malësi"... tokën prodhuese e ka shumë të pakët. Përfshin 28 fshatra. Popullsia e kësaj krahine njihet për trimëri, guxim dhe zgjuarsi. Tani shumica e saj ndodhet në kurbet...
Shkruar nga Sami Frashëri (1896)
Pjesë të marra nga botime të ndryshme për vëllezërit Frashëri me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!